Studiuesit në Korenë e Jugut zhvillojnë robotin që ndihmon paraplegjikët të ecin

27 dhjetor 2024 | 09:00

Studiuesit koreano-jugorë kanë zhvilluar një robot të lehtë për t’u veshur që mund të shkojë deri te personat paraplegjikë dhe t’u mundësojë atyre të ecin, të manovrojnë me pengesa e të ngjisin shkallë.

Ekipi i Laboratorit Exoskeleton në Institutin e Avancuar të Shkencës dhe Teknologjisë në Kore (KAIST) tha se qëllimi i tyre është të krijojnë një robot që integrohet pa probleme në jetën e përditshme të individëve me aftësi të kufizuara.

Kim Seung-hwan, i cili është vetë një paraplegjik dhe pjesë e ekipit KAIST, demonstroi prototipin që e ndihmoi të ecte me një shpejtësi prej 3.2 km/h të ngjiste një shkallë dhe të bënte hapa anash, shkruan Reuters.

“Mund të më afrohet kudo që të jem, edhe kur jam ulur në një karrige me rrota për të më ndihmuar të ngrihem në këmbë, gjë që është një nga tiparet e tij më të dallueshme”, tha Kim.

Bëhet e ditur se roboti me fuqi, i quajtur WalkON Suit F1, ka përbërje alumini dhe titani që peshon 50 kg dhe mundësohet nga 12 motorë elektronikë që simulojnë lëvizjet e nyjeve njerëzore gjatë ecjes.

Park Jeong-su, një tjetër anëtar i ekipit KAIST, tha se veshja ishte frymëzuar nga filmi “Iron Man”.

“Pasi pashë Iron Man, mendova se do të ishte mirë nëse mund t’i ndihmoja njerëzit me një robot në jetën reale”, tha ai.

Ndërsa për të siguruar ekuilibrin e përdoruesit gjatë ecjes, roboti është i pajisur me sensorë në thembra dhe në pjesën e sipërme të trupit që monitorojnë 1000 sinjale në sekondë dhe parashikojnë lëvizjet e synuara.

Lentet në pjesën e përparme të robotit funksionojnë si sy që analizojnë rrethinën e tij, identifikojnë lartësinë e shkallëve dhe zbulojnë pengesat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, teksa ishte i ftuar në…