Stuhia e rërës pushton Irakun

15 prill 2025 | 08:17

Më shumë se 1,800 persona janë prekur nga probleme respiratore pasi një stuhi e fortë rëre përfshiu pjesët qendrore dhe jugore të Irakut.

Në provincën Muthanna, autoritetet raportuan rreth 700 raste të asfiksisë, ndërsa në provincën Najaf u regjistruan mbi 250 persona të shtruar në spital për shkak të vështirësive në frymëmarrje. Gjithashtu, në Diëaniyah, të paktën 322 pacientë, përfshirë edhe fëmijë, kërkuan ndihmë mjekësore, ndërsa në Dhi Qar dhe Basra u raportuan edhe 530 raste të tjera me simptoma të ngjashme.

Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë zona të tëra të zhytura në një mjegull të dendur me ngjyrë portokalli, ndërkohë që mediat lokale raportuan ndërprerje të energjisë elektrike dhe pezullim të fluturimeve në disa rajone.

Ministria e Mjedisit e Irakut paralajmëroi se vendi do të përballet me më shumë “ditë me pluhur”, duke theksuar ndikimin në rritje të ndryshimeve klimatike, të cilat sipas ekspertëve kanë rritur frekuencën e stuhive të rërës në rajon.

Në qytete, kalimtarët dhe policia shiheshin me maska për t’u mbrojtur nga pluhuri, ndërsa ekipet e urgjencës ndihmonin njerëzit që kishin vështirësi në frymëmarrje.

Stuhia ka reduktuar ndjeshëm shikueshmërinë, në disa zona deri në më pak se një kilometër, duke vështirësuar qarkullimin dhe jetën e përditshme në qytetet jugore të Irakut.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari amerikan i Thesarit Scott Besant deklaroi se nuk kishte asnjë arsye…