Stuhia më e fortë në më shumë se 50 vite, anulohen fluturimet dhe lëvizjet me trena në Pekin

12 prill 2025 | 17:55

Qindra fluturime janë anuluar dhe shërbimet e trenave janë pezulluar pasi stuhitë e forta goditën Pekinin dhe rajonin verior të Kinës këtë të shtunë.

Erërat e fuqishme, që arritën deri në 150 km/h, më të fortat që ka përjetuar kryeqyteti kinez në më shumë se gjysmë shekulli, teksa pritet të vazhdojnë.

Deri në orën 11:30 me orën lokale, 838 fluturime ishin anuluar në dy aeroportet kryesore të Pekinit, sipas agjencisë së lajmeve Reuters. Shpërthimet e erës të shoqëruara me rërë dhe pluhur nga Mongolia kanë detyruar mbylljen e atraksioneve turistike dhe vendeve historike, ndërsa mijëra njerëz janë paralajmëruar të qëndrojnë brenda për siguri.

Shërbimet e trenave, përfshirë linjën e metrosë ekspres të aeroportit dhe disa linja hekurudhore me shpejtësi të lartë, janë pezulluar gjithashtu.

Parqet janë mbyllur, dhe shumë pemë të vjetra janë përforcuar ose shkurtuar për t’u përgatitur për goditjet e mundshme të erës. Pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga erërat, siç janë rrëzimi i pemëve dhe dëmtimi i automjeteve, nuk ka raporte për të lënduar.

Banorët e Pekinit, të cilët janë paralajmëruar që të shmangin udhëtimet jo thelbësore, kanë qëndruar brenda, duke i dhënë qytetit një pamje më të zbrazët se zakonisht.

Pekini ka shpallur alarmin e tij të parë portokalli për erëra të forta në një dekadë, ndërsa shpejtësia e erës ka arritur nivelin 11, që mund të shkaktojë dëme serioze, sipas autoriteteve meteorologjike kineze.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy persona janë gjetur të vdekur në rrënojat e një…