Subjektet politike shqyrtojnë mundësitë për emërime të grave në pozita udhëheqëse
Demokraci Plus (D+) dhe Konrad Adenauer Stiftung (KAS) sot organizuan konferencën “Jepja shansin gruas në politikë përmes pozitave udhëheqëse” me të cilin rast u prezantua edhe një publikim me të njëjtin titull.
Në panel diskutues ishin zyrtarë të lartë të subjekteve politike: Sami Kurteshi (LVV), Safete Hadërgjonaj (PDK), Ahmet Isufi (AAK), Besa Baftiu (PSD), Blerta Deliu (PDK), Vlora Dumoshi (LDK), Jehona Lushaku (Universiteti i Prishtinës).
Arta Sejdiu nga D+ e cila prezantoi të dhënat nga hulumtimi, duke thënë që partitë politike kanë mjaft mundësi për të emëruar gra në udhëheqje të ministrive, pozita udhëheqëse në Kuvend të Kosovës, drejtori komunale, struktura udhëheqëse të partive apo edhe në nominim për garë për kryetar të komunës.
Megjithatë, hulumtimi tregon se përfaqësimi i grave mbetet i ulët.
Në poste ministrore janë emëruar tri gra në mandatin e kaluar dhe dy gra në këtë mandat edhe pse numri i ministrive kalon numrin 20.
Ndërsa, nga 76 zëvendësministra të identifikuar nga D+ në këtë mandat, vetëm gjashtë prej tyre ishin gra. Asnjë nga partitë politike që kanë garuar në zgjedhje nuk kanë pasur të nominuar një grua për kryeministre. Përveç kësaj, asnjë grua nuk është emëruar në postet të zëvendëskryeministres.
Hulumtimi i D+ tregon që emërimet e grave mbesin në nivel tejet të ulët në udhëheqjen e drejtorive komunale, mirëpo kryetarët e dy komunave; Qëndron Kastrati nga Kamenica dhe Ramiz Lladrovci nga Drenasi, kanë dhënë shembull të mirë duke emëruar më shumë gra se burra në drejtimin e drejtorive komunale. Vetëm dy parti në pushtet komunal kanë emëruar gra si nënkryetare të komunave ndërsa vetëm pesë kuvende komunale udhëheqen nga gratë, përderisa 33 tjerë me burra.
Arta Sejdiu ka treguar se udhëheqja e grave me degët e partive dhe kandidimi i tyre është tejet i ulët dhe këtu duhet të kenë vëmendje më të madhe partitë politike.
Vetëm tetë degë të tri partive më të mëdha, LDK-së, LVV-së dhe PDK-së, udhëhiqen nga gra dhe po i njëjti numër i grave ishin kandiduar nga subjektet për kandidate për të parin e komunës.
Më tutje në hulumtim u shfaqën të gjeturat mbi sfidat e grave në politikë sipas vetë grave që janë aktive në parti politike të ndryshme që i kishte intervistuar D+.
Demokraci Plus (D+) bëri thirrje që: Ligji për Qeverinë të sigurojë përfaqësim gjinor më të mirë duke kërkuar nga partitë që hyjnë në koalicion të emërojnë së paku çdo të tretin ministër nga gjinia e kundërt; legjislacioni i qeverisjes lokale të amendamentohet duke kërkuar që të rregullohen ligjërisht drejtoritë komunale dhe të obligohen partitë në qeverisje lokale që së paku çdo i treti i të emëruarit për drejtori komunale të jetë i gjinisë së kundërt; si dhe subjektet politike t’i fusin në statute të partive obligime për emërim të grave në poste udhëheqëse aty ku ato subjekte janë të përfaqësuara.
Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje ka potencuar që kuota gjinore tenton ta mbrojë femrën nga shoqëria. Ndër të tjera Kurteshi ka thënë se duhet të ketë emancipim të femrës në shoqëri si tërësi, për të pasur pastaj përfaqësim më të mirë në politikë.
Ahmet Isufi nga AAK-ja ka theksuar se përkundër sfidave që kemi, Kosova ka shënuar përparim në çështjet gjinore, duke qenë kështu në mesin e 30 vendeve me më së shumti gra në parlament.
“AAK-ja si subjekt ka kuotën 30 për qin, por nuk është e mjaftueshme”, ka thënë ai.
Sipas Isufit, në qeveri ka përfaqësim të pamjaftueshëm të gruas. “Në ligjin e ri që është duke u hartuar duhet të merret parasysh kjo çështje. Duhet të ndryshohet edhe ligji për zgjedhje, dhe çdo e dyta kandidate duhet të jetë grua”, ka thënë Isufi.
Jehona Lushaku ka thënë që struktura legjislative është e avancuar nëse do të zbatohej, por shteti çalon në mekanizma për implementimin e këtij ligji.
Ajo ka thënë se kuota është një garanci. “Kuotat janë garanci e fundit që garanton një përfaqësim”, ka thënë Lushtaku, duke shtuar se fuqizimi i gruas varet shumë nga ndryshimet shoqërore, por partitë politike mund të kenë një rol kyç në këtë proces.
Deputetja Safete Hadërgjonaj ka thënë se fuqizimi i gruas në pozicione udhëheqëse ndodh vetëm atëherë kur kemi fuqizim të gruas brenda subjekteve politike. Ajo ka shtuar se kuota gjinore u ka mundësuar grave që të japin kontributin e tyre në institucione dhe shoqëri.
/Epoka e re/