Subjektet politike të komuniteteve joshumicë përkrahin procesin e vetingut
Pas takimeve me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësministren e Drejtësisë, Nita Shala, takuan përfaqësues të komuniteteve rom, ashkalinj, egjiptian dhe turk, për të diskutuar lidhur me procesin e vetingut në drejtësi.
Në takim, në të cilin ishin të pranishëm kryetarja e NDS-së, Emilija Rexhepi, kryetari i IRDK-së, Elbert Krasniqi, kryetari i KDPT-së, Fikrim Damka, kryetari i LPRK-së, Erxhan Galushi dhe kryetari i PAI-s, Etem Arifi, kryeministri Kurti foli për hapat e mëtejmë lidhur me këtë proces dhe rëndësinë e koordinimit të përbashkët, pas opinionit të pranuar nga Komisioni i Venecias.
Përfaqësues të subjekteve politike të komuniteteve joshumicë, shprehën mbështetjen e tyre për procesin e vetingut dhe reformës në drejtësi.
Qeveria ka miratuar koncept dokumentin për zhvillimin e procesit të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë, si dhe ka përgatitur draftin e amendamenteve kushtetuese dhe projektligjin për vetingun në sistemin e drejtësisë.
Më 17 qershor 2022, Komisioni i Venecias ka miratuar Opinionin për Vetingun.