
Subjektet politike u gjobitën afër 645 mijë euro, sa janë paguar deri tani
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa gjatë procesit zgjedhor të mbajtur më 9 shkurt, ka pranuar 642 ankesa të parashtruara nga palët me interes ligjor.
Nëpërmjet një komunikate, PZAP-ja ka njoftuar për të gjitha vendimet lidhur me procesin zgjedhor gjatë kësaj periudhe.
Nga të gjitha ankesat, ka aprovuar 249 vendime, ka refuzuar 242 vendime, 73 ankesa ishin të palejuara, 4 të tërhequra, 53 të pasafatshme dhe dy pjesërisht të pranuara. Ndërkohë, në Komisionin e Pavarur për Media PZAP ka dorëzuar 17 ankesa dhe në Këshillin e Mediave të Shkruara dy ankesa.
Në kuadër të vendimeve të nxjerra, PZAP-ja për subjektet politike që kishin shkelur Kodin e Mirësjelljes ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 644,100.00 euro, prej të cilave deri me tani janë paguar vetëm 101 mijë euro, ka njoftuar PZAP-ja.
Ndaj vendimeve të PZAP-it, janë paraqitur 47 ankesa në Gjykatën Supreme, ndër to; në 34 raste u vërtetuan vendimet e PZAP-së, u ndryshuan pjesërisht 7 vendime, ndërsa 6 vendime të PZAP-së u ndryshuan nga Gjykata Supreme.