Subvencionimi i blerjes së teksteve shkollore, opozita kërkon të intervistohet edhe Nagavci

09 korrik 2024 | 16:59

Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, ka diskutuar lidhur me dinamikën kohore të intervistimit të dëshmitarëve, ku është miratuar që të bëhet një draft-propozim nga kryesuesi i komisionit për anëtarët.

Në këtë mbledhje, krahas dëshmitarëve nga shtëpitë botuese e akterëve tjerë të përfshirë në këtë proces është kërkuar që të intervistohet edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka kërkuar që në listë të përfshihen anëtarë të MAShT-it, të bibliotekave dhe ministrat, raporton “EO”.

“Lista mendoj se duhet të ketë me prioritet të saj deri aty sa kemi mandat kohor. Sa mjete financiare janë shpenzuar për mjetet mësimore 2023-2024, sa mjete i ka ndarë qeveria dhe sa mjete ka pas MAShTI që janë shpenzuar, pse kanë dështuar negociatat me shtëpitë botuese, sa kanë qenë ofertat, a ka pas dallime me të viteve të kaluara, etj.”, ka thëne Haxhiu.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka thënë se do ishte e duhur që të mblidhen të dhënat dhe më pas të vijë në raportim në komision, ministrja Arbërie Nagavci.

“Këta dëshmitarë të propozuar të pozitës dhe opozitës ne duhet të mendojmë kë ta ftojmë, kë të parin e kë të dytin. Unë propozoj që ministren e Arsimit ta lëmë të fundit, me i mbledh të gjitha informacionet e më pas më i diskutuar”, ka thënë Dreshaj.

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka propozuar që ekspertët të krijojnë një listë dhe të premten të ketë sërish mbledhje të komisionit, por kjo është kundërshtuar nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu. Ky i fundit, ka thënë se ky propozim nuk qëndron pasi sipas tij “ekspertët propozojnë lista”.

“Të arrijmë t’i intervistojmë nga viti 2008 deri në vitin 2023, sa të kemi informacione pse jo, sepse në vitin 2008 ka filluar blerja e teksteve për nxënësit. Na duhen detaje për këtë komision që janë të rëndësishme. P.sh. sa nxënës nuk kanë aplikuar në e-Kosova? Propozimi im është të nisim nga shtëpitë botuese”, ka thënë Haxhiu.

Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka propozuar që të bëhen krahasime me dy vitet e fundit dhe atyre paraprak.

“Fillimi i punës së këtij komisioni do të jetë 2023-2024, pastaj të lëshohemi në vitin 2008 ku mund të bëjmë krahasime. Sa i takon listës së dëshmitarëve mendoj se është e mjaftueshme”, ka thënë ai.

Më tutje, deputetja e pushtetit, Arjeta Fejza, ka propozuar që të konsultohet materiali dhe lista.

“Bazuar në dokumentacionin që iu kemi dërguar institucioneve është pranuar materiali kamë dilema, propozojë sa i përket planit dinamik, mbi listën e miratuar me u konsultuar materiali edhe lista”, ka thënë Fejza.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria e Apelit në Shqipëri kishte bërë rekurs në Gjykatën…