‘Sudani është në prag të një lufte të hapur civile’
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se Sudani është në prag të “luftës së hapur civile” derisa përleshjet e ashpra midis gjeneralëve rivalë vazhduan në kryeqytetin Kartum të dielën.
Ai ka paralajmëruar të shtunën se lufta midis ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake ka shumë të ngjarë të destabilizojë të gjithë rajonin.
Konflikti në Sudan ka shpërthyer në mes të prillit pas muajsh tensionesh midis gjeneralit Abdel Fattah Burhan dhe rivalit të tij gjeneralit Mohamed Hamdan Dagalo, komandant i Forcës së Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF).
Ministri i Shëndetësisë, Haitham Mohamed Ibrahim, ka thënë në një fjalim televiziv muajin e kaluar se më shumë se 3000 njerëz ishin vrarë dhe më shumë se 6 000 janë plagosur në përleshjet.
Më shumë se 2.9 milionë njerëz janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre dhe të shkojnë në zona më të sigurta brenda Sudanit ose në vendet fqinje.
Banorët e Kartumit kanë raportuar të dielën se luftime të ashpra po zhvillohen në jug të kryeqytetit.
Fraksionet ndërluftuese përdorën armë të rënda në luftimet në lagjen Kalaka dhe aeroplanët ushtarakë u panë duke fluturuar mbi zonë.
Në deklaratën e tij, Guterres ka dënuar gjithashtu një sulm ajror të shtunën që autoritetet lokale kanë thënë se vrau të paktën 22 njerëz në Omdurman.
Sekretari i përgjithshëm ka dënuar gjithashtu dhunën në rajonin perëndimor të Darfurit, ku janë zhvilluar luftimet më të ashpra në konflikt.
Zyrtarët e OKB-së kanë thënë se dhuna në rajon kohët e fundit kishte marrë një dimension etnik, me RSF dhe milicitë arabe që është thënë sulmonin fiset joarabe në Darfur.