Sudanit i rikhthehet paqja, ushtria dhe opozita arrijnë marrëveshje
Udhëheqësit ushtarakë dhe grupet opozitare të Sudanit janë dakorduar në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, për vendosjen e një paqeje kalimtare të parashikuar të zgjasë për një periudhë 3-vjeçare. Palët do të angazhohen për krijimin e qeverisjeje të shtrirë në tri nivele apo struktura kalimtare, duke përfshirë një Këshill të Përbashkët, një Kabinet dhe një Parlament. “Numri i Parlamentit kalimtar do të jetë 300 anëtarë, 67 për qind e të cilëve do të emërohen nga Deklarata e Lirisë dhe Forcave të Ndryshimit, ndërsa 33 për qind do të negociohen ndërmjet dy palëve” ka deklaruar Yasir Alatta, një prej anëtarëve më të rëndësishëm të Këshillit Ushtarak.
Sakaq, negociatat mes palëve do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme për diskutimin e hollësive rreth formimit të Këshillit, si dhe për përcaktimin e përqindjeve reciproke të përfaqësimit. “Ne po ashtu kemi rënë dakord që të formojmë një komitet të përbashkët për të hetuar incidentet e dhunshme që ndodhën natën e të hënës në protestë në sheshin para selisë së ushtrisë, që la tetë persona të vdekur dhe 200 të tjerë të plagosur”, ka deklaruar Medani Abaz Medani, eksponent i aleancës opozitare.
Jeta politike në Sudan është destabilizuar si rezultat i rrëzimit nga pushtetit të presidentit Omar al – Bashir, i cili është subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), që e akuzon atë për organizimin e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit në rajonin e Darfurit përgjatë intervalit pesëvjeçar 2003-2008. Këto akuza janë mohuar kategorikisht nga Bashir, i cili gjendet aktualisht në paraburgim.
75-vjeçari Omar al-Bashir ka qeverisur Sudanin që prej vitit 1989. Arrestimi i tij i jep fund sundimit autokratik 30-vjeçar, ndaj të cilit sudanezët janë mobilizuar në protesta duke filluar nga 19 dhjetori i vitit të shkuar. Gjatë tubimeve kanë humbur jetën së paku 38 protestues në përleshje me forcat e sigurisë.