Suedezët synojnë kualifikimin në botëror
Përzgjedhësi i Suedisë, Janne Andersson, ka thënë se synimi i ekipit të tij është kualifikimi në Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Kështu ka thënë Andersson për mediumet suedeze menjëherë pas tërheqjes së shortit të hënën.
Suedia është në Grupin B së bashku me Spanjën, Kosovën, Greqinë dhe Gjeorgjinë.
Andersson e ka vlerësuar grupin si interesant, por ka pranuar se Spanja mbetet favorite për pozitën e parë, që edhe dërgon direkt në Botëror.
“Është një grup interesant. Janë vetëm dy ekipe, Greqia dhe Gjeorgjia me të cilat nuk jemi takuar derisa me Kosovën kemi luajtur në janar. Sfida e madhe, e që është ajo për vendin e parë dhe direkt në Botëror është me Spanjën, natyrisht, me të cilët jemi takuar edhe në kualifikimet për Evropian dhe i kemi humbur dy ndeshjet. Spanja është ekip i mirë, por nuk mund të them se jemi të mposhtur prej tyre në këto kualifikime”, ka thënë Andersson për “AftonBladet”. Ndërkohë, shortin e ka komentuar edhe kapiteni i Suedisë, Adreas Granqvist.
“Grup interesant, me Spanjën favorite. Mirëpo, ne do të mundohemi t’i pengojmë ata për pozitën e parë, në të kundërtën jam i bindur se i kemi gjasat e mira për të siguruar pozitën e dytë në grup”, ka pohuar ai.