Suedi, vidhen kurorat mbretërore. Hajdutët ia mbathin me motobarkë
Një bandë hajdutësh kanë vjedhur dy kurora dhe një rruzull nga koleksioni i familjes mbretërore të Suedisë, duke arritur madje të arratisen me një motobarkë pas plaçkitjes.
“Artefaktet e paçmueshme u rrëmbyen nga një katedrale në Strangnas, rreth një orë larg periferisë perëndimore të kryeqytetit Stockholm, gjatë orëve të drekës të se martës”, ka deklaruar policia.
Grabitësit thyen xhamin e qelqtë, ku ruheshin dy kurorat dhe rruzulli që prej shekullit të XVII, sende të Mbretit Karl IX dhe bashkëshortes së tij, Mbretëreshës Kristina. Më pas, ata janë arratisur me një motobarkë që i priste vetëm disa qindra metra më tej, në liqenin Malaren, i treti më i madh i Suedisë.
Deri më tani nuk është arrestuar askush, ndërsa nuk është identifikuar as edhe një i dyshuar i mundshëm, por policia ka vendosur të publikojë rastin e vjedhjes në mënyrë që të mund të rikuperojë artefaktet e vyera. “Duam të përhapim informacionin dhe fotot e këtyre sendeve, në mënyrë që të mund të identifikohen si objekte të vjedhura”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë Thomas Agnevik./tch/