Suedia akuzon Rusinë për shkelje të hapësirës ajrore
Ushtria e Suedisë tha se një aeroplan rus i zbulimit dhe dy aeroplanë ushtarak shkelën për kohë të shkurtë hapësirën ajrore të Suedisë në bregun e detit Baltik.
Tre aeroplanët kanë fluturuar më 19 janar në jug të qytetit Karlshamn, rreth 135 kilometra në verilindje të qytetit bregdetar të Malmos.
Në një deklaratë të Forcave të Armatosura të Suedisë, është thënë se aeroplanët kanë hyrë në hapësirën ajrore suedeze pa leje, dhe se për këtë veprim të rusëve, ata e kanë informuar menjëherë qeverinë suedeze.
Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, e ka mohuar incidentin.
“Të gjitha fluturimet janë zhvilluar në pajtim të plotë me rregullat ndërkombëtare për përdorimit të hapësirës, pa shkelur kufijtë e asnjë shteti” është thënë në në deklaratë.
Incidenti vjen në një kohë të rritjes së aktivitetit ushtarak në rajonin e Detit Baltik, me disa raportime për shkeljet e hapësirës ajrore nga aeroplanët ushtarakë rusë dhe një prani më të madhe të anijeve ushtarake ruse.