Suedia dhe Finlanda në bisedime me NATO-n para samitit formal mbi protokollet e anëtarësimit
Suedia dhe Finlanda po zhvillojnë bisedime me zyrtarët e NATO-s në Bruksel për fillimin e procesit formal për t’u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore, një lëvizje që do të shënonte një largim dramatik nga politikat e vjetra të vendeve nordike të mos-angazhimit për çështjet ushtarake.
Bisedimet e 4 korrikut po drejtohen nga ministrja e jashtme suedeze, Ann Linde dhe homologja finlandeze, Pekka Haavisto, të cilat pasojnë marrëveshjen e javës së kaluar me Turqinë për tërheqjen e Ankarasë nga kundërshtimet e saj ndaj anëtarësimit të të dy vendeve nordike në aleancë.
Më 5 korrik, ambasadorët e 30 vendeve anëtare të NATO-s pritet të nënshkruajnë protokollet e anëtarësimit për Suedinë dhe Finlandën. Më pas do të duhen disa muaj përpara se anëtarësimet e tyre të ratifikohen nga të gjithë anëtarët e aleancës, raporton “Rel”.
Ndryshimet historike nga Suedia dhe Finlanda erdhën përballë pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia në dhe lëvizjeve të tjera agresive të Kremlinit në rajon. Opinioni publik në vendet nordike u kthye shpejt në favor të anëtarësimit në NATO.
Mbrëmjen e 28 qershorit, udhëheqësit e Finlandës, Suedisë dhe Turqisë nënshkruan një memorandum trepalësh – në margjina të samitit të NATO-s në Madrid – duke i hapur rrugën dyshes nordike për t’iu bashkuar aleancës ushtarake.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka deklaruar se Finlanda dhe Suedia duhet së pari të mbajnë premtimet e bëra ndaj Ankarasë, në të kundërt ratifikimi për anëtarësimin e tyre nuk do t’i dërgohet parlamentit turk.
Ndërsa vetëm dy ditë pasi kanë rënë dakord për të hequr veton ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, udhëheqësi i Turqisë ka paralajmëruar të enjten se Ankaraja mund të bllokojë ende procesin nëse të dy vendet nuk arrijnë të përmbushin plotësisht pritshmëritë e tij.
Presidenti turk i ka kërkuar dy vendeve nordike të respektojnë marrëveshjen që nënshkruan me Ankaranë në mënyrë që të fitojnë mbështetjen e saj për anëtarësimin e tyre në NATO.