Suedia do të blejë 44 tanke ‘Leopard’ me një kontratë miliardëshe

09 janar 2025 | 11:04

Ushtria suedeze do të blejë tanke nga prodhuesi gjermano-francez KNDS në një kontratë që e arrin vlerën e rreth 1,9 miliard eurosh, tha të enjten qeveria e vendit të Evropës Veriore.

Në kontratën e blerjes përfshihen 44 tanke të tipit “Leopard 2 A8” dhe modernizimi i 66 tankeve ekzistuese, thuhet në deklaratën e qeverisë suedeze, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ky është absolutisht një investim i nevojshëm”, tha ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson, më herët në transmetuesin publik SVT, duke shtuar se tanket do ta ndihmojnë vendin e tij që ta arrijë qëllimin për dyfishimin e madhësisë së ushtrisë.

Sipas deklaratës së qeverisë, dërgesat e tankeve do të fillojnë në vitin 2028 dhe do të vazhdojnë deri në vitin 2031.

Suedia u bë anëtare e NATO-s në mars të vitit të kaluar. Stokholmi u detyrua që ta ndryshonte politikën neutrale të mbrojtjes pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës.

Pengesa për anëtarësimin e Suedisë në NATO kishin paraqitur Turqia e Hungaria. Aplikimi nuk ishte miratuar për më shumë se 18 muaj shtyrje nga qeveria nacionaliste hungareze.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të…