Suedia i bashkohet NATO-s
Suedia zyrtarisht është bërë anëtarja e 32 e NATO-s pasi ka kompletuar procesin e anëtarësimit në Washington, raporton BBC.
Dorëzimi i dokumenteve është bërë në një ceremoni gati dy vjet qëkur Suedia aplikoi për anëtarësim në aleancën ushtarake pas shqetësimeve nga pushtimi rus i Ukrainës, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson ka thënë se “uniteti dhe solidariteti” do të jenë shenjat udhëzuese të Suedisë.
“Gjëra të mira vijnë për ata që kanë durim”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Suedia kishte aplikuar për anëtarësim në NATO, duke braktisur politikat e saja neutrale, nga frika se do të ishte shteti i radhës që do të mund të sulmohej nga Rusia, pas Ukrainës. Mirëpo kërkesa e saj për anëtarësim ishte bllokuar nga dy shtete, Turqia dhe Hungaria.
Turqia fillimisht e bllokoi pas kritikave se Suedia përkrahte separatistët kurdë.
Ndërkaq, kryeministri Viktor Orban e kishte akuzuar Suedinë se ishte armiqësore me Hungarinë, por në fund Orban lëshoi pe dhe parlamenti hungarez ratifikoi anëtarësimin e Suedisë në NATO.