Suedia liron ish-gjeneralin sirian të akuzuar për krime lufte
Një gjykatës suedez ka liruar të enjten një ish-gjeneral të ushtrisë siriane, që po akuzohej për sulme pa dallim ndaj civilëve në vendin e tij. Sulmet u pretenduan se kishin ndodhur më tepër se një dekadë më parë, raporton agjencia “AP”.
Gjykatësi tha se prokurorët nuk kanë arritur të ofronin prova për përfshirjen e gjeneralit Mohammed Hamo në krime lufte.
Hamo, që jeton tash në Suedi, ishte akuzuar në shkurt se ka ndihmuar dhe nxitur krime kundër të drejtës ndërkombëtare. Prokurorët thanë se si kryesues i Divizionit të 11-të të Ushtrisë së Sirisë, ishte përgjegjës për ofrim të armëve që u përdorën për të kryer krime lufte në vitin 2012.
Prokurorët pretenduan se Hamo kishte marrë pjesë në sulme pa dallim që divizioni i tij kishte kryer ndaj objektivave ushtarake dhe civilëve në qytetet siriane Homs dhe Hama.
Gjykata e Qarkut të Stokholmit tha se ishte e qartë se ushtria siriane kreu sulme “pa dallim” që ishin në shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Por gjykatësja Katarina Fabian tha se nuk u ofruan mjaftueshëm dëshmi nga prokurorët se Hamo ishte fajtor për sulmet.