Suedia mposhti Spanjën, Anglia goleadë ndaj Hungarisë
Eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022 dhuruan një tjetër mbrëmje emocionuese në ekranin e SuperSport, teksa në grupin B, ku bën pjesë edhe Kosova, Suedia bëri surprizën, duke triumfuar me rezultatin 2-1 ndaj Spanjës.
“Furia Roja” kaloi e para në avantazh me anë të Soler në minutën e 5-të, por pas vetëm pak sekondash ishte Isak që riktheu baraspeshën, ndërsa në pjesën e dytë skandinavët gjetën golin e fitores me anë të Claesson, duke u ngjitur në krye të renditjes me 9 pikë të plota pas tre ndeshjeve të para.
Në grupin C zbriti në fushë Italia kampione Europe, që u vu përballë Bullgarisë në “Artemio Franchi” të Firenzes, por nuk shkoi përtej barazimit 1-1. Federico Chiesa zhbllokoi sfidën në minutën e 16’ për italianët, ndërsa miqtë rikthyen baraspeshën me Iliev në të 39-ën. Po në të njëjtin grup, Irlanda e Veriut gjeti fitoren e parë pasi mposhti me rezultatin 4-1 Lituaninë në transfertë.
Belgjika nuk ka të ndalur në grupin E, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin e thellë 2-5 në transfertën ndaj Estonisë dhe blindoi pozitat në krye të renditjes me 10 pikë pas katër ndeshjeve të para. Romelu Lukaku ishte protagonist me dy gola për “djajtë e kuq” të Europës, ndërsa në të njëjtin grup, Republika Çeke fitoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Bjellorusisë.
Në grupin I, ku bën pjesë edhe kombëtarja shqiptare, Anglia konsolidoi pozitat në krye, pasi triumfoi me rezultatin e pastër 0-4 në transfertën ndaj Hungarisë dhe tani e sheh veten me 12 pikë të plota, ndërsa Andorra gjeti fitoren e parë, pasi mposhti San Marinon me rezultatin 2-0.
Në grupin J pritej me mjaft interes debutimi i Hansi Flick në pankinën e Gjermanisë, me “panzerat” që triumfuan me shifrat 0-2 në transfertën ndaj Lichtensteinit. Gjermanët nuk e vunë në asnjë moment në dyshim fitoren, pasi u ‘fshehën” topin kundërshtarëve dhe shënuan golat me anë të Werner e Sane, nga një për çdo pjesë.
Po në të njëjtin grup, Armenia nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup, megjithatë mbetet në krye me 10 pikë, ndërsa Rumania ia doli të triumfojë me shifrat 0-2 në transfertën ndaj Islandës.