Suedia pranon gabimin: Kemi shumë viktima
Suedia pranon gabimin në keqmenaxhimin e emergjencës shëndetësore dhe ndryshon qasje për mosvendosjen e izolimit për luftimin e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.
Në një intervistë për radion publike, Anders Tegnell, epidemiologu që sugjeroi strategjinë “soft” të adoptuar nga qeveria e Stokholmit, pranon se “ata që kanë humbur jetën nga koronavirusi në këtë shtet janë të shumtë”.
Në vendin skandinav, i cili ka një popullsi prej 10 milionë banorësh, pandemia ka shkaktuar mbi 4500 viktima. Pranimi i gabimit është mjaft i vonuar në Suedia, aq sa dy javë më parë tejkaloi Britaninë e Madhe, Italinë dhe Belgjikën sa i përket indeksit të vdekshmërisë për numër banorësh në botë.
Një situatë aq dramatike, saqë bindi Norvegjinë dhe Danimarkën fqinje të rihapin lëvizjet e qytetarëve mes vendeve duke nisur nga 15 qershori, por duke mbajtur kufizimet për suedezët.