SUGJERIME

03 maj 2019 | 11:40

LEONARD COHEN

Leonard Cohen (1934-2016), poet, romancier, kompozitor këngësh dhe këngëtar. Karriera e tij letrare filloi në vitin 1956 kur botoi përmbledhjen e parë me poezi të titulluar Let Us Compare Mythologies. Derisa ishte gjallë ka botuar dhjetë përmbledhje me poezi dhe dy romane. Pas vdekjes i është botuar edhe përmbledhja The Flame: Poems Notebooks Lyrics Drawings. Albumin e parë e ka incizuar në vitin 1967 dhe deri në vitin 2016 Cohen ka edituar edhe 14 albume. Gjatë karrierës së tij ka qenë i nderuar me shumë çmime, ndërsa në vitin 2011 ka fituar çmimin prestigjioz për letërsi “Princi Asturias”.

SUGJERIME

 

“Ne jemi vajza nga Ontario”.
“Nga cila pjesë e Ontarios?”
“Ne nuk e njohim Ontarion. Na u tha të themi se jemi nga atje”.
“E kam të qartë”.
Ato shëtisnin qëllimisht nëpër kuzhinë, e ndezën dhe e fikën
shporetin me gaz, kontrollonin dritat pilot, nxirrnin tenxheret
nga dollapët e mbushur, ranë në gjunjë para kutisë boshe të frigoriferit,
por kurrfarë ushqimi në të vërtetë nuk ishte gatuar dhe as shërbyer.
“Ne nuk dimë vërtet se si të gatuajmë”.
“E kam të qartë”.
“Ne nuk jemi gjë tjetër veçse sugjerime. Trupat tanë përfundojnë aty ku
fillojnë rrobat tona. Nuk ka asgjë përfundi”.
“E pyesja veten në lidhje me këtë”.
“Po, na është thënë të praktikojmë modesti, për t’ju bërë të qeshni
dhe buzëqeshni, dhe të mos ju trullosim me lëngje dhe lakuriqësi”.
“A do ta përmirësojë kjo mbrëmjen?”
“Po, si jo. Do të të pëlqejë”.
“Unë u nënshtrohem qëllimeve tuaja të mira”.
Secila prej tyre e kapi për krahu, dhe u mbështetën për trupin e tij
dhe ngulën kokat e tyre mbi gjoksin e tij.
“Ne të duam”.
Atij i rrodhën lotët ndërsa ato ia fshinë me shamitë e tyre shumëngjyrë-she.
“Jam i uritur”.
“Edhe ne jemi! Hajde shkojmë në një restorant në Montreal, në qendër, për të cilën kemi dëgjuar, ku ka më shumë restorante për bllok sesa Rio. Ne do të dalim çdo natë, përveç kur nuk ke qejf ti. E atëherë do të porosi-tim dhe do të na e sjellin këtu”.

MË FALNI

Më falni, zotërinj dhe zonja,
nëse nuk mendoj për veten
si sëmundje.
Më falni nëse pranoj Shpirtin e Shenjtë
pa ju treguar juve.
Më falni,
Komisarë të Perëndimit,
nëse nuk mendoni
se kam vuajtur mjaftueshëm.

SHKRIMTARË TË TJERË

Steve Sanfield është mjeshtër i madh i haikut.
Ai jeton në fshat me Sarahën,
gruan e vet të bukur,
dhe shkruan për gjërat e vogla
që qëndrojnë për të gjitha gjërat.
Kyozan Joshu Roshi,
që i solli qindra murgjarë
në një zgjim të plotë,
trajton zgjerimin
e njëkohshëm dhe tkurrjen
e kozmosit.
Po vazhdoj më tutje
për një grua të re fisnike
që i shpërthekoi xhinset e saj
në pjesën e përparme të xhipit tim
dhe më lejoi ta prek
burimin e jetës sime
sepse isha goxha larg prej tij.
Më duhet t’ju them, miq,
parapëlqej më shumë gjërat
e mia se të tyre.

ROSHI

Kurrë nuk e kuptova me të vërtetë
çfarë tha
ama herë pas here
gjej veten
duke leh me qenin
ose duke u përkulur me shpatore
ose duke ndihmuar
në mënyra të tjera të vogla

(Përktheu: Fadil Bajraj. Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. ass. dr. Sabri Kiçmari 8. Struktura sociale dhe politike…