Suhareka mban festivalin e madh, këta janë yjet që do të marrin pjesë
Më 18 qershor në Suharekë tashmë tradicionalisht do të mbahet “Karnavali i Golden Eagle 2022” ku do të marrin pjesë grupe të ndryshme artistësh dhe këngëtarë me renome nga shumë shtete.
Ndër grupet kryesore artistësh dhe këngëtarësh që do të performojnë janë Dhurata Dora, Ghetto Geasy, Melinda, “Vertig Dance” nga Italia, grupi “Arcoiris” nga Brazili, grupi “ Struma” dhe “Moulen Rouge” nga Maqedonia e Veriut, “ORA ČI” nga Sllovenia, “Gladiatorët”, Orkestra Frymore “Afërdita” nga qyteti i Elbasanit, Ansambli “SH.K.A. Jehona” nga Suhareka, Grupi Polifonik “Argjiro” nga Gjirokastra, Ansambli Folklorik Autokton “Rugova”, “Karnavalet Ilire” të Malësisë së Sharrit etj.
Kjo ngjarje unike kulturore organizohet në përvjetorin e 23-të të çlirimit të Kosovës dhe për dallim nga vitet tjera këtë vit falë angazhimit të organizatorit Golden Eagle, do të marrin pjesë më shumë grupe artistësh që merren me karnavale dhe që do t’i japin festës tjetër dimension.
Marrë parasysh numrin e madh të artistëve që do të marrin pjesë në këtë festival, pritet që pjesëmarrja e qytetarëve të jetë masive dhe kështu të ketë një atmosferë të paharruar në qytetin e kulturës, sportit dhe biznesit ndërkombëtar.