Suhareka ngjitet në krye të renditjes, Llapi triumfon në Ferizaj
Suhareka është ngjitur në pozitën e parë në renditjen e Albi Mall Superligës, pasi ka triumfuar në ndeshjen e javës së 6-të kundër Feronikelit 74, me rezultat 2:0.
Mevlan Zeka ishte protagonist i këtij takimi, duke realizuar dy herë në portën e skuadrës nga Drenasi. Fillimisht shënoi në minutën e 45-të nga pika e bardhë dhe më pas në të 57-ën për të siguruar tre pikë të rëndësishme për ekipin e tij.
Kjo është fitorja e katërt e Suharekës në këtë edicion, e cila kryeson e vetme me 13 pikë, të paktën deri në përfundimin e ndeshjeve të së dielës, ku Ballkani do të përballet me Dritën dhe Malisheva me Gjilanin.
Në ndeshjen tjetër të së shtunës, Llapi arriti një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Ferizajt, duke triumfuar me rezultat minimal 0:1. Golin e vetëm të takimit e realizoi Ahmed Januzi në minutën e 72-të, duke i siguruar skuadrës nga Podujeva një fitore të vlefshme jashtë fushe.