Sukseset dhe dështimet e qeverisë Kurti në drejtësi të përmbledhura në tri vjet

27 mars 2024 | 13:38

Shkruan: Ehat Miftaraj

Sukseset:

1. Vetingu, meritat i takojnë qeverisë për vullnetin politik për të realizuar këtë proces jetik për sundimin e ligjit. Edhe pse vetingu do jetë gjysmak dhe edhe pse ende nuk është miratuar amendamenti kushtetues në Kuvendin e Kosovës, prapë se prapë mund të konsiderohet si një sukses i kësaj qeverie.

2. Themelimi dhe funksionalizimi i Gjykatës Komerciale. Ky nuk mund të konsiderohet sukses i qeverisë së Kurtit, pasi ligji për gjykatë është ligj që është iniciuar nga qeveria e kaluar, politike e përcaktuar me Strategjinë për Sundimin e Ligjit. Funksionalizimi i Gjykatës Komerciale është sukses i plotë i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe USAID. KGJK dhe USAID kanë udhëheq me këtë proces, të cilin e kanë finalizuar me sukses. Qeveria nuk ka ndarë buxhetin e nevojshëm për funksionimin e duhur të kësaj gjykatë. Shto obligime, mos jep buxhet, krijo probleme të reja.

3. Miratimi i ligjeve për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe atë për Deklarimin e Pasurisë, është sukses i kësaj qeverie. Sidoqoftë, qeveria s’ka ndarë buxhet të mjaftueshëm për agjencinë për parandalimin e korrupsionit, duke marr për bazë kompetencat shtesë të përcaktuara me ligj. Shto obligime, mos jep buxhet, krijo probleme të reja.

4. Janë miratuar ligje të rëndësishme si Kodi i Procedurës Penale dhe ligje tjera.

Dështimet:

1. Reformimi i sistemit të drejtësisë penale, civile dhe administrative.

Tre vite të shkuara dëm. Edhe pas tre viteve reforma në sistemin prokurorial është në fazën ZERO. Projekt-ligji për KPK është në Kuvend. I njëjti projektligj është konsideruar nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese se i cenon parimet e sundimit të ligjit. Të shpresojmë që së paku gjatë vitit 2024 ky ligj të miratohet dhe të hyj në fuqi. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, përbërja e KPK do të ndryshoj tek pas dy ose tre viteve. Pra, reforma në KPK nuk do të arrijë të realizohet në mandatin e kësaj Qeverie.

Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është në Gjykatën Kushtetuese. Draftin e parë të këtij Ligji Komisioni i Venecias e kishte konsideruar në tërësinë e tij si ligj kundër standardeve që garantojnë dhe promovojnë drejtat dhe liritë e njeriut.

Drejtësia Civile:

Për miratimin e Kodit Civil nuk ka vullnet politik nga partia në pushtet që i njëjti të votohet. Kodi Civil konsiderohet si ligji më i rëndësishëm për të drejtat e qytetarëve menjëherë pas Kushtetutës.

Drejtësia Administrative:

Reforma në drejtësinë administrative po ashtu është vonuar shumë. Projektligji është miratuar në qeveri. Janë dashur tre vite që projekt ligji të hartohet dhe miratohet në qeveri.

Premtimi elektoral se do të ngritët padi për gjenocid ka mbetur premtim në letër, premtim fiktiv dhe i parealizueshëm.

Forcimi i kapaciteteve të PSRK-së, është po ashtu premtim fiktiv. Kësaj prokurorie i janë ndarë buxhet për pak pozita për prokurorë dhe disa staf mbështetës. Rezultatet në trajtimin e krimeve të luftës janë të papërfillshme.

Ndërhyrjet e papërshtatshme të ekzekutivit dhe legjislativit në pavarësinë e gjykatave të rregullta dhe Gjykatës Kushtetuese. Partia në pushtet është kampion për të ndërhyrë në mënyrë të papërshtatshme në institucionet e pavarura. Raportet e ekspertëve eminentë të Këshillit të Evropës i kanë trajtuar si shqetësuese ndërhyrjet e Qeverisë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve individual si dhe sistemit të drejtësisë. Kjo është e papranueshme për një shtet që aspiron të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

Dhe krejt në fund, kjo qeveri e ka fuqizuar kulturën e pandeshkueshmërisë në luftën kundër korrupsionit në rastet kur zyrtarë të kësaj qeverie janë përballur me hetime penale për korrupsion. Si rralle ndonjëherë, vet kryeministri apo ministrat e tij ka akuzuar organet e ndjekjes kur kanë arrestuar apo filluar hetimet për korrupsion, si rasti Martin Berishaj, rasti i KEK, rasti i rezervave shtetërore e shumë raste të tjera.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xherdan Shaqiri ishte vendimtar për Zvicrën, pasi shënoi gol në…