Suksesi vjen më ëmbël për dyqanet e ëmbëlsirave të Ilires
Hapja e dyqanit të dytë të ëmbëlsirave brenda një kohe të shkurtër ka qenë vështirë e imagjinueshme për Ilire Doçiqin në vitin 2011, kur kishte vendosur t’i hyjë botës së biznesit.
Sot, ajo gjen kohë t’i shijojë sukseset e saj, por tregon se në ditët e para kur kishte filluar punën në një lokal të vogël, ishte përballur me jo pak sfida.
“Mbeta pa punë në atë kohë, dhe fillova me ëmbëlsira sepse të gjithë më thonin pse nuk po e hap një dyqan të ëmbelsirave, sepse e dinin qe gatuaj mirë”, thotë ajo.
“Startova e vetme, pa asnjë punëtor,” shton ajo, duke thënë se lokali i parë ku ka punuar ka qenë jo më i madh se 20 metra katrorë, ndërsa nuk ka pasur kapital të madh financiar në dispozicion.
Fillimisht, në dyqanin e saj të parë, ajo bënte vetëm shitjen e ëmbëlsirave, kurse në dyqanin e dytë të hapur rishtazi në një nga qendrat tregtare në Prishtinë, ajo mirëpret klientët të cilët dëshirojnë të ulen dhe t’i shijojnë ëmbëlsirat aty.
Për hapjen e këtyre dy dyqaneve, ajo ka shfrytëzuar kreditë të cilat ipen nga institucionet mikro-financiare në vend.
Ajo ishte këshilluar nga një shoqe e saj që t’i drejtohet njërës nga këtyre institucioneve.
“Në AFK u drejtova me preferencën e një shoqes sime, e cila edhe ajo ishte kredimarrëse”, thotë ajo, teksa shton se në këtë institucion i është ofruar mundësi që ajo i ka parë të arsyeshme.
“Dhe ja, gradualisht e zhvillova biznesin”, thotë pronarja e dyqanit MIA Sweets.
Institucionet mikro-financiare në Kosovë viteve të fundit po gjejnë çdo herë e më shumë ndërmarrës të cilët janë të interesuar që të marrin kredi për t’i zgjeruar bizneset e tyre.
Vlera e kredive të lëshuara nga këto institucione ka arritur mbi 153 milionë euro. Nga kjo vlerë, 99 milionë euro janë kredi familjare, kurse mbi 54 milionë euro kredi për ndërmarrje.
Njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se institucionet mikro-financiare kanë përparësi karshi bankave komerciale për shkak të shpejtësisë së lëshimit të kredive dhe procedurave më të thjeshta.
Papunësia në Kosovë vazhdon të jetë e lartë, por situata është edhe më e vështirë për gratë, të cilat përbëjnë numër më të vogël të të punësuarve krahasim me burrat.
Ilire Doçiqi thotë se në dyqanin e parë ka punësuar vetëm gra, kurse në dyqanin e dytë ka edhe meshkuj të cilët janë të punësuar.
Gjithsej ajo ka 13 punëtorë të angazhuar në dy dyqanet e saj.
“Nuk do të ndalem me kaq,” thotë Ilirja, ende pa u bërë as muaji që kur ka hapur dyqanin e saj të dytë.