
Sukur, institucioneve të Kosovës: Mos i dëboni gylenistët në Turqi
Pas arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq, të perceptuar si gylenistë nga autoritetet e Kosovës, reagimet kanë ardhur nga të gjitha anët.
Një prej atyre që kanë reaguar është Hakan Sukur, futbollisti më i mirë turk i të gjitha kohëve, i cili ka prejardhje nga Prishtina dhe tash e sa vite jeton në ekzil pikërisht për shkak të mospajtimeve me presidentin turk Erdogan.
Sukur, i cili haptazi kishte sfiduar Erdoganin edhe duke pohuar publikisht se është shqiptar, ka reaguar në rrjete sociale ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës.
Sukur ka shkruar se është akt i turpshëm dhe ka kërkuar specifikisht nga Presidenti i Kosovës, Hasim Thaçi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj, që të shkarkojnë përgjegjësit për arrestime dhe depërtime dhe të bashkojnë sërish me familjet e tyre ata që janë arrestuar dhe deportuar. Këtë apel e ka bërë si “djali i prindërve që kanë lindur në Prishtinë”.