Sulm me bombë në Kabul, 40 persona të vdekur
Ministria e Brendshme në Afganistan ka thënë se të paktën 40 persona janë vrarë dhe 30 të tjerë janë lënduar pas disa sulmeve me bomba në një qendër kulturore shiite afër një agjencie të lajmeve në Kabul.
Presidenti afgan, Ashraf Ghani, i ka cilësuar sulmet e ditës së sotme, “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga terroristët.
“Terroristët kanë vrarë njerëzit tanë”, ka thënë Ghani përmes një deklarate.
“Terroristët kanë sulmuar xhamitë tona, vendet e shenjta dhe tani qendrat kulturore”, ka thënë ai.
Ghani ka thënë se shpërthimet janë sulme kundër Islamit dhe “të gjitha vlerave njerëzore”.
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, mirëpo zëdhënësi i talibanëve ka mohur se militantët e këtij grupi të kenë qenë të përfshirë në këtë sulm.
Raportimet fillestare kanë thënë se sulmi ka pasur cak agjencinë e lajmeve Zëri Afgan në perëndim të kryeqytetit afgan, Kabul.
Mirëpo zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Nasrat Rahimi, ka thënë më vonë se shpërthimi kishte cak një qendër kulturore shiite.
Rahimi ka thënë se kanë qenë edhe dy shpërthime të tjera në rrugë, jashtë ndërtesës, ku ishin mbledhur njerëzit për t’iu ndihmuar të lënduarve të shpërthimit të parë.
Mirëpo sipas tij askush nuk ka vdekur nga shpërthimet në rrugë. (Rel)