Sulm me koktej molotovi në ambasadën izraelite në Bukuresht
Një shtetas i huaj është arrestuar në Bukuresht të Rumanisë pasi dyshohet se ka sulmuar ambasadën izraelite me koktej molotovi, duke shkaktuar zjarr të vogël, por pa viktima.
Bëhet e ditur se Shërbimi i Inteligjencës Rumune e ka kapur të dyshuarin 34 vjeçar, përpara se policia të shkonte në vendngjarje, duke shtuar se i dyshuari është përpjekur t’i vinte flakën edhe vetes.
Siç raportohet, i dyshuari është shtetas sirian, shkruanAP.
Një zëdhënës i policisë është deklaruar se incidenti ka qenë i motivuar nga ankesa personale e jo nga konteksti i luftës së vazhdueshme të Izraelit në Gazë.
Incidenti është konfirmuar edhe nga vetë ambasada izraelite e cila në një deklaratë zyrtare tha se “i dyshuari kishte marrë një koktej molotovi, e kishte ndezur dhe e kishte hudhur atë drejt hyrjes së ndërtesës”.
Ambasadori i Izraelit në Rumani, Reuven Azar, e ka dënuar incidentin duke thënë se “terrorizmi nuk njeh kufij” dhe duke iu referuar të dyshuarit si “ekstremist i dhunshëm”.
“Unë dua që ju të jeni të sigurt”, tha Azar duke shtuar se as Izraeli dhe as Rumania “nuk do t’i dorëzohen terrorizmit”.