Sulm me shigjeta në ambasadën izraelite në Serbi, vritet agresori
Një efektiv i sigurisë së ambasadës izraelite në Serbi qëlloi një person – ende të paidentifikuar – i cili sipas raportimeve nisi një sulm me shigjeta ndaj tij.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka njoftuar të shtunën rreth orës 11:00 se një person i panjohur ka gjuajtur me hark në drejtim të oficerit të xhandarmërisë, i cili ishte në detyrë për të siguruar ambasadën izraelite.
“Polici 34-vjeçar ka përdorur armën në vetëmbrojtje dhe ka neutralizuar sulmuesin, i cili ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra”.
Më tej ai tha se, “polici është transferuar në qendrën e urgjencës me vetëdije, ku do të kryhet operacioni”.
“Për të hequr shigjetën nga qafa janë duke u hetuar të gjitha rrethanat e sulmit dhe motivet e mundshme”, tha ministri Daçiç.
Ai shtoi se dyshon se sulmi ishte një akt xhihadist.
Daçiç deklaroi gjithashtu se disa persona të tjerë u ndaluan si masë paraprake pranë objekteve të policisë.
Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit tha se “sot ka pasur një tentativë për sulm terrorist në afërsi të Ambasadës izraelite në Beograd”.
Zëdhënësi tha se ambasada është e mbyllur dhe asnjë punonjës i ambasadës nuk është lënduar.
Identiteti i sulmuesit është ende duke u përcaktuar.
Ambasada e Izraelit ndodhet jo shumë larg nga Ambasada e SHBA-ve në një lagje luksoze të Beogradit. Ajo ruhej nga një njësi elitare e policisë me oficerë të armatosur me automatikë.
Serbia ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Izraelin gjatë luftës në Gaza.