Sulm ndaj një polici në Prishtinë, arrestohet i dyshuari
Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se një zyrtar policor është sulmuar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare të dielën.
Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.
“Njësitë policore gjatë kryerjes së detyrës zyrtare kanë tentuar që të ndalin një veturë me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar, i cili duke mos përfillur urdhrat e zyrtarëve policor me veturë, ka ikur nga vendi i ngjarjes”.
I dyshuari është thënë nga Policia se është arrestuar.
“Lidhur me rastin i dyshuari është arritur të arrestohet dhe pasi është dërguar në stacion policor, i njëjti e ka sulmuar fizikisht njërin nga zyrtarët i cili si pasojë ka pësuar lëndime trupore për çka dhe i është ofruar tretmani mjekësorë”, thuhet në njoftim.
Nevoja për mungesën e një politike për sigurimin shëndetësor dhe jetësor të nëntë mijë policëve të Kosovës tregohet edhe pas sulmeve të fundit ndaj Policisë së Kosovës në Veri të Mitrovicës, ku i vrarë kishte mbetur edhe rreshteri Afrim Bunjaku, më 24 shtator.
Edhe pse në secilat palë zgjedhje premtohet për sigurime shëndetësor dhe jetësore të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma.
Që nga viti 2004, ligji për sigurime shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.
Ky ligj është miratuar në vitin 2007, mirëpo deri tani asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, pasi që ishte tërhequr. Zbatimit të ligjit, ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh, gjatë së cilës do të mblidheshin fondet.