Sulm vdekjeprurës kundër ekipit të vaksinimit në Afganistan

15 qershor 2021 | 15:36

Persona të armatosur sulmuan disa ekipe për vaksinim kundër poliomielitit në lindje të Afganistanit, duke vrarë së paku pesë punonjës shëndetësorë.

Ky është sulmi i dytë i tillë në zonë, në më pak se tre muaj.

Zëdhënësi i guvernatorit të provincës Nangarhar, Attaullah Khoqyani, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se përveç të vrarëve, janë edhe katër persona të plagosur.

Ndërsa zëdhënësi i policisë provinciale, Farid Khan, ka thënë se viktimat janë qëlluar në tre lokacione të ndryshme të provincës Nangarhar, brenda dy orësh.

Përgjegjësinë për sulmet nuk e ka marrë asnjë grup, por edhe militantët talibanë, edhe ata të grupit Shteti Islamik janë aktivë në zonë.

Në muajin mars, ekstremistët e Shtetit Islamik në Afganistan kanë thënë se kanë qëlluar dhe vrarë tri gra, të cilat kanë qenë pjesë e një ekipi të vaksinimit kundër poliomelitit në Xhalalabad – kryeqytetin e provincës Nangarhar.

Pavarësisht përballjes me valën e tretë të koronavirusit, Qeveria afgane ka bërë përpjekje të vaksinojë 9.6 milionë fëmijë kundër poliomielitit, me ndihmën e Fondacionit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara – UNICEF.

Në vitin 2020, Afganistani ka raportuar për 54 raste të reja kundër poliomielitit.

Afganistani dhe Pakistani janë të vetmet vende në botë, ku poliomieliti vazhdon të jetë endemik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ashtu edhe sikur është paralajmëruar nga dita e martë ka…