Sulm vdekjeprurës në Afganistan, disa civilë në mesin e viktimave
Së paku nëntë njerëz janë vrarë kur një sulmues vetëvrasës ka sulmuar një postbllok ushtarak në provincën Helmand të Afganistanit.
Katër civilë, përfshirë gra, janë në mesin e të vrarëve në sulm, ka thënë Omer Zwak, zëdhënës i guvernatorit të provincës.
Një fëmijë dhe tre pjesëtarë të personelit të sigurisë janë plagosur po ashtu.
Përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë ende asnjë grup, por militantët talibanë kontrollojnë shumicën e provincës Helmand.
Sulmi vetëvrasës vjen në kohën kur negociatorë të talibanëve dhe të qeverisë afagne janë duke u takuar në Katar, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do t’i jepte fund luftës 19-vjeçare në Afganistan.
Dhuna ka vazhduar në gjithë Afganistanin, pavarësisht bisedimeve për paqe në Doha, të cilat kanë nisur më 12 shtator.
Talibanët e kanë refuzuar armëpushimin mbarëkombëtar.
Misioni i Ndihmës i Kombeve të Bashkuara në Afganistan ka dokumentuar më shumë se 1 280 vdekje të civilëve afganë gjatë gjysmës së parë të vitit 2020, kryesisht si rezultat i luftimeve midis forcave të qeverisë afgane dhe militantëve talibanë.