Sulme të reja në Kiev
Një sulm që dyshohet se është kryer me raketë ruse në një lagje të Kievit, ka lënë të plagosur të paktën pesë persona në orët e para të 26 qershorit.
Disa banorë është thënë se mund të kenë mbetur nën rrënoja, pas një ndërtesë nëntëkatëshe është përfshirë nga flakët.
Bombardimi i Kievit ka ardhur teksa forcat ushtarake ukrainase planifikojnë të rigrupohen, pas humbjes së qytetit të Severodonjeckut në lindje të shtetit.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko ka shkuar në lagjen ku ka ndodhur sulmi.
Lagjja, e njohur si Shevçenko, është nikoqire e universiteteve, galerive, bizneseve kulturore dhe restoranteve.
Klitschko ka thënë se disa viktima janë në spital, por ka edhe që kanë mbetur nën rrënoja.
Ai ka thënë se ekipet e kërkim-shpëtimit kanë shpëtuar një vajzë shtatëvjeçare.
“Ajo është gjallë”, ka thënë Klitschko dhe “tani po tentojnë të shpëtojnë nënën e saj”.
Klitschko e ka konsideruar sulmin si përpjekje të Rusisë për të “frikësuar ukrainasit”, para samitit të NATO-s që mbahet në Madrid më 28 deri më 30 qershor.
Liderët e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7) do të mblidhen afër Mynihut më 26 qershor për të diskutuar masat pro-Ukrainës.
Rreth 600 kilometra në juglindje, forcat ukrainase kanë thënë kanë bërë “tërheqje taktike” nga qyteti i Severodonjeckut.
Mirëpo, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është zotuar në adresimin e tij ditor se Ukraina do të rimarrë të gjitha qytetet e humbura, prej nisjes së pushtimit rus në këtë shtet më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. /Rel