
Sulmet izraelite vrasin të paktën 19 persona në Gazë
Sulmet ajrore izraelite në mbarë jugun e Rripit të Gazës kanë vrarë të paktën 19 palestinezë gjatë natës midis 22 dhe 23 marsit.
Në mesin e të vrarëve janë edhe një udhëheqës i lartë politik i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe disa gra dhe fëmijë.
Ushtria izraelite ka urdhëruar njerëzit që të evakuohen nga pjesë të qytetit të Rafahut, që gjendet në kufi me Egjiptin. Ushtria tha se shumë shpejt do të veprojë kundër militantëve në zonën e Tel al-Sultan – që ka pësuar dëme të mëdha për shkak të bombardimeve paraprake – në Rafah. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse urdhri për evakuim sinjalizon një operacion të ri tokësor të Izraelit.
Izraeli kishte nisur një ofensivë të madhe në Rafah majin e vitit të kaluar, kur mori nën kontroll një korridor strategjik përgjatë kufirit me Egjiptin dhe një pikëkalimi të rëndësishëm.