Sulmet ndaj EULEX-it dhe policisë, reagon Rama: Beogradi të mos i justifikojë, BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut

11 dhjetor 2022 | 15:03

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dënuar sulmet ndaj EULEX -it dhe ndaj policisë në veri të Kosovës. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Rama është shprehur se rishfaqja e barrikadave në veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj dialogu, madje  komplikon çdo gjë.

“Sulmet mbi EULEX-in janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj Policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!” ka shkruar Rama.

Më tutje, Rama ka vlerësuar vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka vendosur për shtyrjen e zgjedhjeve në veri.

“Shtyrja e votimeve nga ana e presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese! Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor. BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”, ka shkruar Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se  nesër (e…