Sulmet ndaj rebelëve në Jemen, SHBA: Nuk duam konflikt me Iranin
Shtëpia e Bardhë nuk dëshiron konflikt me Iranin, pavarësisht se kreu sulme në Jemen ndaj rebelëve Huthi, që mbështeten nga Teherani si masë për të ndaluar sulmet e rebelëve ndaj anijeve në Detin e Kuq, tha Shtëpia e Bardhë më 12 janar.
“Ne nuk dëshirojmë konflikt me Iranin. Nuk dëshirojmë të përshkallëzojmë situatën dhe nuk ka asnjë arsye për përshkallëzim përtej asaj që ka ndodhur gjatë ditëve të fundit”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
“Ne e dimë që Irani mbështet [rebelët] Huthi. Ne e dimë se ata po i furnizojnë me raketa dhe dronë dhe armët e njëjta po përdoren për të sulmuar anijet. Ne e kemi bërë shumë të qartë se Irani duhet të ndalë këtë mbështetje”, tha Kirby për MSNBC.
Rebelët Huthi të premten thanë se interesat amerikane dhe britanike tani janë “caqe legjitime”, pas sulmeve ajrore dhe detare të SHBA-së dhe Britanisë ndaj rebelëve në Jemen një ditë më parë. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se sulmet ndaj rebelëve jemenas synonin që t’i jepnin fund aftësisë së tyre për të sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq.
Një avion luftarak Typhoon i Forcës Ajrore Mbretërore britanike duke u nisur për t’iu bashkuar koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 12 janar 2024.
Por, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi rebelët kundër përgjigjes.
“Dua të përsëris fjalinë e fundit të deklaratës që presidenti dha natën e kaluar, që është se ai rezervon të drejtën, dhe nuk do të hezitojë, që në të ardhmen të ndërmarrë veprime të mëtejme”, tha Kirby.
Rebelët Huthi kanë sulmuar anijet që kalojnë përmes Detit të Kuq, duke thënë se sulmet janë në mbështetje të popullit palestinez.
Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – po luftojnë që nga 7 tetori, kur radikalët palestinezë sulmuan jugun e izraelit, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë.
Si pasojë e kundërpërgjigjes izraelite nga toka, ajri dhe deti, në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 23.000 persona./REL