Sulmet në veri dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale të organizuara nga Serbia
Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas sulmeve ndaj policisë së Kosovës në veri.
Ajo ka thënë se vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës.
“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po e destabilizojnë Kosovën dhe rajonin”.
“Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e Osmanit.
Ajo ka shtuar se përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pret që aleatët ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës.
“Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë. Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë”, ka thënë ajo.
Osmani ka theksuar se si presidente e Republikës ka besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës.