Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës “sulm i madh ndaj rendit botëror”
“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është një sulm masiv ndaj rendit botëror”, tha ministri i Jashtëm izraelit, Lapid, duke nënvizuar gatishmërinë e Izraelit “për të ndihmuar popullin ukrainas”.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid dënoi sot ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë duke e quajtur atë si një “sulm të madh ndaj rendit botëror”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri izraelit i bëri komentet në Ministrinë e Jashtme derisa iu drejtua mediave pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një operacion ushtarak në Ukrainë.
“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është një sulm masiv ndaj rendit botëror”, tha Lapid, duke nënvizuar gatishmërinë e Izraelit “për të ndihmuar popullin ukrainas”.
Ai bëri thirrje për ndalimin e aksionit ushtarak rus dhe për kthimin në negociata për zgjidhjen paqësore të konfliktit.
“Luftërat nuk janë mënyra e duhur për të zgjidhur konfliktet. Mund ta ndalim këtë (sulm) dhe të kthehemi në tryezën e bisedimeve për një zgjidhje paqësore”, tha ai.
Lapid tha se Tel Avivi për një kohë të gjatë ka gëzuar “marrëdhënie të mira dhe të thella” me Moskën dhe Kievin, duke vënë në dukje se mijëra qytetarë izraelitë dhe hebrenj jetojnë në Rusi dhe Ukrainë.
“Mbrojtja e tyre është prioriteti ynë kryesor”, shtoi ai.
Kryediplomati izraelit u bëri thirrje të gjithë qytetarëve izraelitë që të largohen nga Ukraina dhe të kalojnë kufirin “derisa rrugët janë ende të hapura”.
Putin sot herët njoftoi ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë, vetëm disa ditë pasi njohu dy enklavat e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës.
Njohja e Donetskut dhe Luhanskut tërhoqi dënime ndërkombëtare dhe njoftime për sanksione më të ashpra ndaj Moskës.