Sulmi i tmerrshëm në Shri Lanka, ky është reagimi i liderëve botërorë
Një numër i vendeve të botës janë shprehur të shokuar dhe kanë dënuar sulmet në kisha dhe hotele në Shri Lanka që lanë më shumë se 150 njerëz të vdekur dhe qindra të tjerë të plagosur.
Një burim nga spitali i Colombos i tha agjencisë së lajmeve, “AFP”, se në mesin e të vdekurve kishte edhe amerikanë, britanezë dhe danezë pa dhënë më shumë detaje.
Kryeministri indian, Narendra Modi, e quajti “një shpërthim i tmerrshëm” dhe tha se vendi i tij është me popullin e Shri Lankës.
“Dënojmë fuqishëm shpërthimet e tmerrshme në Shri Lanka, nuk ka vend për një barbarizëm të tillë në rajonin tonë, India qëndron në solidaritet me popullin e Shri Lankës, ngushëllime e mia janë për familjet e të vdekurve dhe lutjet me të plagosurit”, ka shkruar Modi në “Twitter” .
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se terrorizmi, urrejtja ndaj religjionit dhe jotoleranca nuk mund të lejohen që të fitojnë.
“Ne jemi të tronditur nga lajmi se të krishterët në Shri Lankë u sulmuan dhe u vranë gjatë shërbimeve të Pashkëve”, shkroi zëdhënësja e Merkelit në Twitter.
“Ne mbajmë zi dhe lutemi për të plagosurit dhe anëtarët e familjes së tyre”.
Qendra e reagimit ndaj krizës në Zyrën e Jashtme gjermane shkroi se situata në Shri Lanka ishte e paqartë dhe se po përpiqej të përcaktonte nëse shtetasit gjermanë ishin të prekur nga sulmet.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i quajti sulmet si një sulm ndaj gjithë njerëzimit.
Ministri i jashtëm turk dënoi gjithashtu sulmet vdekjeprurëse, të cilat thyen një ngërç prej 10 vjetësh të sulmeve të mëdha që nga përfundimi i luftës civile në ishullin e Azisë Jugore.
Forcat e sigurimit të Sri Lankës në vitin 2009 mundën rebelët Tamil Tiger që kishin luftuar për formimin e një atdheu të pavarur për minoritetin Tamil.
Nga popullsia e përgjithshme e Shri Lankës prej rreth 22 milionë, 70 për qind janë budiste, 12.6 për qind hindu, 9.7 për qind myslimanë dhe 7.6 për qind e krishterë, sipas regjistrimit të vitit 2012 të vendit.