Sulmi kundër familjes myslimane në Kanada ‘ishte i planifikuar’

08 qershor 2021 | 12:55

Drejtuesi i një kamionçine në Kanada, i cili kishte përplasur pesë këmbësorë, duke vrarë katër prej tyre, i ka goditur viktimat sepse ishin myslimanë, ka thënë policia kanadeze.

“Ka prova që tregojnë se ky ishte një akt i planifikuar, i paramenduar dhe se familja u vu në shënjestër për shkak të besimit mysliman”, ka thënë detektivi Paul Waight.

Sulmi ka ndodhur të dielën në qytetin e Londrës të provincës Ontario.

Një djalë i moshës nëntë vjeç, i mbijetuari i vetëm i familjes  ndodhet në spital me lëndime të rënda.

Viktimat ishin dy gra  të moshës 74 dhe 44 vjeçe,  një burrë 46 vjeç dhe një vajzë 15 vjeçe.

Emrat e tyre nuk janë bërë publikë, në përputhje me kërkesat e familjes.

Policia e ka identifikuar sulmuesin e dyshuar si Nathanial Veltman, 20 vjeç.

Nuk dihet ende nëse i dyshuari ka lidhje me ndonjë grup, ka thënë detektivi Waight.

Policia është duke i shqyrtuar akuzat e mundshme për terrorizëm, ka thënë detektivi,  duke shtuar se besohet se vrasjet janë një krim i urrejtjes.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka shkruar në llogarinë e vet në “Twitter” se është “tmerruar” nga lajmi.

Sulmi është më i rëndi kundër myslimanëve në Kanada qëkur gjashtë vetë ishin vrarë në një xhami të qytetit Kuebek, në vitin 2017.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brooklyn Nets dominuan edhe në sfidën e dytë të serisë…