Mijëra njerëz morën pjesë në ceremonitë mortore të dielën për 12 fëmijët dhe adoleshentët e vrarë nga një sulm me raketë në Lartësitë e Golanit, të kontrolluar nga Izraeli.
Grupi militant libanez Hezbollah mohoi përgjegjësinë për sulmin në fshatin Majdal Shams. Izraeli e vlerësoi sulmin si më vdekjeprurësin që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor që nxiti luftën në Gazë.
“Ajo që duhet të bëjmë është të përgjigjemi me forcë të plotë, të lirojmë pengjet dhe të ndalojmë këtë luftë. Mjaft më me sakrifikimin e gjakut të fëmijëve tanë”, tha Hithami, banor i fshatit ku u krye sulmi i së shtunës.
Sot ushtria izraelit njoftoi se gjatë natës kreu sulme ajrore kundër Hezbollahut në Liban.
Të paktën 30 raketa u hodhën më pas nga Libani përtej kufirit, tha ushtria izraelite.
Autoritetet izraelite janë zotuar se grupi militant libanez, që ka mbështetjen e Iranit, do të paguajë çmim të rëndë pas sulmit të së shtunës në Lartësitë e Golanit. Viktimat e sulmit ishin pjesë e komunitetit Druzë, një sekt fetar që filloi si degë e Islamit Shiit, por që janë besnik ndaj shtetit izraelit.
Izraeli pushtoi Lartësitë e Golanit nga Siria në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe e aneksoi atë në vitin 1981.
Të gjithë viktimat e sulmit të së shtunës ishin të rinj të moshës 10 deri në 20 vjeç. 20 të tjerë u plagosën, sipas ushtrisë izraelite.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të dielën se ai ishte i pikëlluar nga humbja e jetëve dhe tha se arritja e një marrëveshjeje armëpushimi për luftën në Gazë mund të ndihmojë për të qetësuar situatën në kufirin e Izraelit me Libanin.
“Ne po zhvillojmë bisedime me qeverinë e Izraelit dhe dua të theksoj të drejtën për të mbrojtur qytetarët e tij dhe vendosmërinë tonë për t’u siguruar që ata janë në gjendje ta bëjnë këtë. Por, ne, gjithashtu nuk duam të shohim përshkallëzimin e konfliktit. Ky ka qenë një nga synimet tona që nga dita e parë, nga 7 tetori e në vazhdim”, tha Sekretari Blinken.
Megjithatë, një përgjigje më e fortë izraelite pritet pas kthimit të kryeministrit Benjamin Netanyahu nga vizita e tij në Shtetet e Bashkuara dhe një takimi i kabinetit të sigurisë që pritet të mbahet në orët e mbrëmjes.
Një përgjigje më të fortë se ajo gjatë natës u paralajmërua të dielën edhe nga ministri izraelit i mbrojtjes.
“Kjo është një tragjedi e tmerrshme, u vranë djem dhe vajza të pafajshme. Hezbollahu është përgjegjës dhe do të paguajë një çmim”, tha ministri Gallant.
Qeveria libaneze i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të bëjnë thirrje për përmbajtje nga Izraeli, njofton agjencia e lajmeve Reuters duke cituar ministrn e Jashtëm të Libanit, Abdallah Bou Habib.
Ai gjithashtu njoftoi se Uashingtoni i kishte kërkuar qeverisë së Libanit që t’i përcjellë një mesazh Hezbollahut për të treguar gjithashtu përmbajtje.
Irani paralajmëroi Izraelin të dielën kundër asaj që e quajti një aventure të re në Liban, në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi i ministrisë së jashtme Nasser Kanaani.
Gjatë një ceremonie në përkrahje të Presidentit të zgjedhur iranian, Masoud Pezeshkian, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei përsëriti qëndrimin e republikës islamike ndaj Izraelit.
“Regjimi i Izraelit nuk është një shtet, është një bandë kriminale, është një bandë vrasësish dhe terroristësh”, tha zoti Khamenei.
Hezbollahu është grupi më i fuqishëm nga një rrjet grupesh të mbështetura nga Irani në të gjithë Lindjen e Mesme. Grupi libanez filloi hapjen e një fronti të dytë kundër Izraelit menjëherë pas sulmit terrorist të Hamasit, më 7 tetor.
Grupet e tjera që e kanë mbështetjen e Iranit gjenden në Irak dhe Houthit në Jemen. Të gjithë kanë kryer sulme ndaj Izraelit. /voa