Sulmi me armë ndaj “Top Channel”, reagon Begaj dhe Rama
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama kanë dënuar ngjarjen e rëndë të ndodhur gjatë mesnatës pranë ambienteve të televizionit “Top Channel”.
“Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar ‘Top Channel’ është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola. Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale”, ka shkruar Begaj në “Facebook”.
Edhe kryeministri Rama është shprehur përmes një postimi në “Twitter”, se agresioni kriminal nga televizionit kombëtar duhet të marrë një përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese.
“Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues!”, ka shkruar Rama.