Sulmi ndaj eurodeputetit gjerman, dorëzohet në polici një 17-vjeçar
Një 17-vjeçar është dorëzuar sot pranë autoriteteve në Gjermani, duke deklaruar se është një nga autorët e sulmit të të premten, ndaj eurodeputetit socialdemokrat Matthias Ecke që tronditi vendin, njoftoi policia gjermane.
I riu iu dorëzua policisë në Dresden, Gjermaninë lindore, sot dhe tha se ai ishte sulmuesi që goditi politikanin e SPD, Partia Social Demokrate e kancelarit Olaf Solz, gjatë një fushate për zgjedhjet e ardhshme europiane.
Hetimi është në vazhdim dhe policia po punon për të vërtetuar deklaratat e 17-vjeçarit, tha një zëdhënës i policisë. Ecke u rrah brutalisht nga katër sulmues të premten mbrëma. Ai u dërgua në spital dhe iu nënshtrua një operacioni.
Dëshmitarët okularë thanë se sulmuesit ishin të veshur me të zeza dhe thanë se dukej se i përkisnin një grupi të ekstremit të djathtë. Tre të dyshuarit e tjerë janë ende në arrati, tha policia. Policia beson se ata janë nga mosha 17 deri në 20 vjeç.
Sulmi shkaktoi tronditje dhe zemërim në Gjermani, me politikanë nga parti të ndryshme që dënuan dhunën dhe paralajmëruan një kërcënim për demokracinë gjermane.