Sulmi në spitalin e Gazës, reagon Tërnava: Të parandalojmë holokaustin e ri
Gjatë mbrëmjes së 17 tetorit 2023 në orët e vona është goditur me raketa spitali në Gaza.
Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili ka kërkuar të parandalohet “një holokaust i ri”.
“Jam i tmerruar e i trishtuar pas lajmit për bombardimin dhe granatimin e spitalit në Gaza, ku humbën jetën qindra qytetarë të pambrojtur e të pafajshëm, gra, fëmijë, të sëmurë dhe të plagosur. Dënojmë në formën më të ashpër këtë veprim, i cili është krim kundër njerëzimit. Ftoj botën demokratike e qytetëruese, që të ndërmarrë hapa e të veprojë me shpejtësi në parandalimin e një kasaphaneje në Gaza, për të cilën do të jemi përgjegjës që të gjithë. Duhet gjetur mundësitë e premisat për ndaljen e luftimeve, kthimin në dialog e marrëveshje, si dhe rrugën për jetë në paqe e qetësi për të dy popujt. Të ndalojmë dhunën, të parandalojmë holokaustin e ri!”, është thënë në deklaratën e kryetarit të BIK-ut, Naim ef. Tërnava.