Sulmi që ndryshoi krejt panoramën diplomatike në Lindjen e Mesme
Patrick Wintour
Ndërsa numri i të vdekurve rritet dhe pasojat mbi sigurinë shumohen, Izraeli po drejton gishtin e akuzës ndaj Teheranit, për orkestrimin e sulmeve të ekzekutuara nga Hamasi. Sulmet mund të kenë lindur nga zemërimi, veçanërisht nga sjelljet disamujore të koalicionit Netanyahu, duke përfshirë provokimet në xhaminë al-Aksa, por Irani dhe forcat që ai mbështet kanë një qëllim strategjik afatgjatë: të pengojnë përpjekjen e udhëhequr nga SHBA, për të arritur një normalizim të marrëdhënieve midis Arabisë Saudite dhe Izraelit, një lëvizje që do të vendoste me të dyja këmbët SHBA-në në Lindjen e Mesme – dhe në sytë e Iranit do t’i privonte palestinezët nga sponsori i tyre i fundit me ndikim.
Qëllimi i Iranit është të çnormalizojë rajonin dhe ta bëjë gati të pamundur për Arabinë Saudite arritjen e një marrëveshjeje. Izraeli, në të kundërt, dëshiron ta tkurrë konfliktin palestinez në mënyrë diplomatike, që gradualisht të bëhet një gjë e parëndësishme, një xhingël historike, siç është lufta e Yom Kipurit. Ndihma që i jep Gazës nëpërmjet Katarit është një nga pikat e kësaj strategjie.
Në një fjalim që mbajti në fillim të javës së kaluar, udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i dërgoi një paralajmërim të koduar Riadit, se çdo shtet i Gjirit që mbështet SHBA-në, po mbështet kalin e gabuar. “Qëndrimi përfundimtar i Republikës Islamike është se qeveritë që kanë prioritet lojën e normalizimit me regjimin sionist do të pësojnë humbje,” tha ai në komentet e transmetuara nga mediat shtetërore dhe gjysmë zyrtare të Iranit. “Siç thonë evropianët, ata po vënë bast për një kalë të humbur. Sot, situata e regjimit sionist nuk është e tillë që duhet të motivojë afrimin me të; ata nuk duhet ta bëjnë këtë gabim.”
Atij iu bashkua të premten kreu i Xhihadit Islamik, Ziad al-Nakhala, i cili tha: “Ata që nxitojnë drejt normalizimit me projektin sionist duhet ta dinë, dhe ata e dinë, se ky është pranimi i tyre që Palestina nuk është e jona, dhe që Jeruzalemi me xhaminë e tij nuk është i yni.”
Arabia Saudite, ekonomia e së cilës pritet të tkurret këtë vit sipas Bankës Botërore për shkak të shkurtimeve të prodhimit të naftës, ka qenë e dëshpëruar për investime të huaja dhe e dëshiron dinamizmin teknologjik të Izraelit. Tregtia e Emirateve të Bashkuara Arabe me Izraelin u dyfishua në 2.56 miliardë dollarë në vitin 2022, pas arritjes së një marrëveshjeje të tregtisë së lirë. Por Riadi, tani një anëtar i tendencës diplomatike në rritje të transaksioneve, kërkon gjithashtu garanci të reja mbrojtëse të SHBA-së, të ngjashme nëse jo më të mira me ato të dhëna Bahreinit në shtator, dhe akses në energjinë bërthamore civile. Ai gjithashtu ka nevojë për diçka të prekshme për rifillimin e bisedimeve izraelito-palestineze. Antony Blinken, sekretari amerikan i shtetit, do të diskutonte të gjitha këto me princin e kurorës Mohammed bin Salman në një turne rajonal këtë javë.
Tani, me fillimin e asaj që mund të bëhet një luftë rajonale, llogaritjet e rrezikut kanë ndryshuar. Hamasi ka treguar fuqinë e tij të zjarrit dhe ka shtrirë bazën përtej Gazës. Konflikti jo vetëm nuk është tkurrur, por ai është zgjeruar. Përgjigja fillestare e Riadit ndaj sulmit të Hamasit, një grup me të cilin ai ka pak kontakte, ishte treguesi i parë kritik, se si Riadi i shikonte pasojat diplomatike. Nuk ishte inkurajues për Izraelin dhe, duke pasur parasysh pasionet e ndezura, nuk mund ta përballonte që të ishte.
Ministria e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite vuri në dukje situatën e paprecedentë midis fraksioneve të caktuara palestineze dhe forcave pushtuese dhe bëri thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët. Por më pas kujtoi “paralajmërimet e saj të përsëritura për rreziqet e shpërthimit të situatës si rezultat i okupimit të vazhdueshëm, privimit të popullit palestinez nga të drejtat e tij legjitime dhe përsëritjes së provokimeve sistematike kundër vendeve të shenjta të tij”. Gjithashtu i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të rifillojë një proces të besueshëm paqeje, të bazuar në një zgjidhje me dy shtete.
Katari ishte edhe më i paekuivok, duke thënë se Izraeli ishte “i vetmi përgjegjës për përshkallëzimin, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të popullit palestinez, duke përfshirë inkursionet e fundit të përsëritura në xhaminë al-Aksa, nën mbrojtjen e policisë izraelite”.
Që atëherë, ministri i jashtëm saudit ka folur me Blinkenin, përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe çdo homolog në Gjirin Persik. Frytet e këtyre bisedimeve do të pasqyrohen kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mblidhet në seancë urgjente dhe të dëgjojë thirrjet e përsëritura për përmbajtje. Por shumë diplomatë privatisht pranojnë se po paguajnë një çmim për faktin që lejuan që kriza në Lindjen e Mesme, të kalojë në fund të agjendës së tyre.
Puna e vërtetë diplomatike do të bëhet privatisht. Në afat të shkurtër, Turqia dhe Egjipti do të veprojnë si ndërmjetës. Egjipti, i cili përballet me zgjedhjet në dy muaj, nuk mund të përballojë kaosin në Gaza. Synimi fillestar i Hamasit do të jetë ta bëjë Izraelin të mendojë dy herë për shkallën e ndëshkimit të tij. Zëdhënësi i brigadave të Hamas al-Qassam, Abu Ubaida, tha: “Numri i të burgosurve [izraelitë] është shumë herë më i madh se sa njoftoi Benjamin Netanyahu, dhe ata janë të pranishëm në të gjitha akset në Rripin e Gazës dhe ajo që ndodh me njerëzit e Gazë, do t’u ndodhë edhe atyre, dhe kini kujdes nga llogaritë e gabuara.”
Edhe Hezbollahu i ka dërguar një mesazh Izraelit nëpërmjet Egjiptit për pasojat e mundshme të një sulmi të plotë në Gaza. SHBA nga ana e saj po i kërkon Izraelit të ulë tensionin, të ndalojë një sulm tokësor dhe të mbështetet në masa të tilla si ndërprerja e furnizimit me energji elektrike të Gazës për të detyruar Hamasin të negociojë. Brenda Izraelit ka edhe zëra që bëjnë thirrje për qetësi, duke thënë se pas një dështimi të tillë të sigurisë, kërkohet një qeveri uniteti që do të lejojë që Netanyahu t’i japë fund mbështetjes së tij katastrofike te ekstremistët, për të qëndruar në pushtet. Me jetën e kaq shumë pengjeve në rrezik, ndëshkimi do të duhet të kalibrohet me kujdes.
Aftësitë e mbijetesës politike të Netanyahut janë të njohura, por do të jetë e vështirë të shmanget faji për një fiasko të tillë të inteligjencës. Golda Meir u largua si kryeministre brenda gjashtë muajve pas luftës së Yom Kipurit, duke i lënë vendin Menachem Beginit dhe më tej, marrëveshjes së Camp David me Anwar Sadatin e Egjiptit në vitin 1978. Tani për tani, është e vështirë të parashikohet përsëritja e një zinxhiri kaq optimist të ngjarjeve. / The Guardian – Bota.al