Sulmohet Ambasada e Kosovës në Stokholm
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka njoftuar se Ambasada e Kosovës në Stokholm është sulmuar me mjete të forta.
Përmes një komunikate për medie, MPJ-ja ka dënuar sulmin duke kërkuar prej autoriteteve suedeze sa më shpejt ta zbardhin rastin dhe kryerësit e kësaj vepre të sillen para drejtësisë. “Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se sulme të tilla me mjete të forta, që kanë mundur të shkaktojë lëndime të rënda ndaj personelit diplomatik, përderisa ata kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare janë të papranueshme dhe kërkon nga autoritetet e shtetit pritës, që të zbardhen sa më shpejt kryerësit e kësaj vepre në mënyrë që ata të sillen para drejtësisë”, është thënë në komunikatën e MPJ-së.
Ministria e Punëve të Jashtme ka falënderuar autoritetet suedeze për reagimin e shpejtë dhe bashkëpunimin e ngushtë në lidhje me këtë rast.
Ky është sulmi i dytë ndaj Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm që nga hapja e saj në vitin 2009.
/Epoka e re/