Sulmohet baza ushtarake amerikane në Afganistan
Disa raketa janë hedhur në bazën e ushtrisë amerikane në Afganistan.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi militant ekstremist, Shteti Islamik (IS).
“Pesë raketa janë hedhur në veri të Kabulit më 9 prill por pa pasoja në njerëz”, ka njoftuar misioni amerikan.
Zyrtarët e sigurisë afgane i thanë Radios Evropa e Lirë se raketat janë shkrepur nga një automjet.
IS-i tha në një komunikatë se militantët e grupit e kanë shënjestruar një helikopter që po ateronte në bazë.
Zëdhënësi i talibanëve tha se grupi nuk qëndron prapa sulmit.
Në muajin mars, talibanët dhe Shtetet e Bashkuara arritën marrëveshje për tërheqjen e trupave të huaja nga Afganistani në shkëmbim të garancive talibane për të mos lejuar aktivitetet e grupeve terroriste në vend.
Grupi afgan i lidhur me IS-in u paraqit për herë të parë në lindje të Afganistanit më 2014, dhe që nga ajo kohë ka pasur shtrirje në shumë rajone, veçanarisht në veri.
Ushtria amerikane ka llogaritur se janë rreth 2 mijë ushtarë të IS-it që luftojnë kundër të huajve, qeverisë afgane por edhe forcave talibane.
Ata kanë ndërmarrë një sërë sulmesh vdekjeprurëse në Afganistan./rel/