Sulmohet ekipi i gazetës ‘Blic’ në veri, reagon AGK-ja
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka bërë me dije është njoftuar se ekipi i gazetës “Blic”, i përbërë nga gazetarët Nebih Maxhuni, Diamant Bajra dhe kameramani Arsim Rexhepi, është sulmuar sot në veri të Mitrovicës, gjatë realizimit të një storie për situatën e krijuar nga koronavirusi.
Sipas raportimeve të gazetës “Blic”, ekipi ishte afruar pranë një pike ku shitej miell dhe flisnin me qytetarët për të parë si po shkon furnizimi, kur ata janë sulmuar nga dy qytetarë, duke u goditur me grushte e shkelma.
“Gazetari Mbahuni është duke marrë tretman mjekësor në spitalin e qytetit të Mitrovicës. Policia e Kosovës është njoftuar për rastin dhe ekipi i gazetës ‘Blic’ është intervistuar. AGK kërkon nga organet e sigurisë që sa më parë ta hetojnë këtë rast. AGK do ta përcjell me kujdes rastin në fjalë duke kërkuar hetime të shpejta dhe efikase”.
“Sulmi i tillë ndaj gazetarëve është akt i shëmtuar dhe skandaloz i cili nuk përkon me një shoqëri të lirë dhe demokratike. Vlerësojmë se aktet e tilla nuk janë të drejtuara vetëm ndaj individëve, por ndaj lirisë së medieve, fjalës së lirë dhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të qenë të informuar”, është thënë në reagimin e AGK-së.