Sulmohet ekipi i ‘RTV 21’ në veri të Mitrovicës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar se ekipi i “RTV21”, i përbërë nga gazetarja Lirie Dibrani dhe kameramani Berat Bahtiri, janë sulmuar fizikisht nga serbët derisa po raportonin në sheshin “Car Llazar”.
Mediumi ka njoftuar AGK-në, se krahas sulmit fizik ndaj kameramanit, atij i është marrë edhe pajisja me të cilën ishte duke xhiruar.
Ekipi ka njoftuar AGK-në se aktualisht janë duke dhënë deklaratë rreth sulmit në Policinë e Kosovës.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar me pamjet e sulmit ndaj kameramanit dhe u bëjmë thirrje organeve kompetente të sigurisë që ta trajtojnë rastin sa më parë në mënyrë që personat përgjegjës të vihen para drejtësisë.
Njëherësh, AGK-ja, u bën thirrje Policisë së Kosovës që t’i sigurojnë gazetarët në mënyrë që të njëjtit të raportojnë pa u rrezikuar dhe penguar.