Sulmohet gazetari Valon Syla, reagon AGK-ja
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas sulmit fizik ndaj gazetarit Valon Syla.
AGK-ja ka deklaruar se lidhur me këtë rast, ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës.
“Sot rreth orës 12:05, kemi pranuar informatën se në lagjen ‘Pejton’ është sulmuar gazetari. Njësia policore ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar përmes telefonit me gazetarin, i cili ka deklaruar se për momentin nuk ka nevojë për trajtim mjekësor. Jemi duke e pritur për të marrë informata të tjera”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për AGK-në, Baki Kelani për AGK-në.
AGK-ja ka kërkuar nga organet e rendit ta zbardhin këtë rast.
“AGK-ja kërkon nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë t’i hetojnë motivet e sulmit dhe ta zbardhin këtë rast, i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medies. Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend”, është thënë në reagim e AGK-së.
Gazetari Valon Syla është sulmuar sot nga një person i panjohur, në mes të Prishtinës.