Sulmohet me gurë një familje shqiptare në Medvegjë, Kamberi kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se familja e Ruham Muharremit në Medvegjë është sulmuar dhe frikësuar.
Me anë të një postimi në “Facebook”, Kamberi, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të monitorojë situatën në fjalë.
“Partia për Veprim Demokratik dënon kategorikisht aktet e dhunës dhe frikësimit të familjes së Ruhan Muharremit në Medvegjë. Një grup i panjohur ka kryer akte vandalizmi duke hedhur gurë dhe mjete të rënda në drejtim të shtëpisë së tyre”, ka shkruar Kamberi.
“Ne kërkojmë që autoritetet e sigurisë të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur rendin dhe qetësinë dhe për të siguruar që qytetarët shqiptarë në Medvegjë të mos jenë të ekspozuar ndaj abuzimeve dhe tmerreve të tilla”, shtoi ai.
“Gjithashtu, ftojmë Bashkësinë ndërkombëtare të ndjekë ngjarjet dhe të monitorojë situatën e sigurisë me kujdes, sidomos në Luginën e Preshevës”, u shpreh deputeti Kamberi.