Sulmohet me raketa edhe Zona e Gjelbër në Irak
Tri raketa goditën Zonën e Gjelbër në Bagdad, ku ndodhen shumë ndërtesa qeveritare dhe misione të huaja, thanë burime të policisë irakiane për Reuters.
Raketat u lëshuan nga rrethi Zafaraniyah, jashtë kryeqytetit irakian, ndërkaq dy predha ranë pranë Ambasadës së SHBA-së.
Nga këto sulme nuk ka pasur të plagosur, por vetëm dëme materiale, njoftoi kanali televiziv Al Hadath.
Incidenti ndodhi një ditë pasi rifilluan protestat antiqeveritare në Irak, gjatë të cilave gjashtë irakanë, përfshirë dy oficerë policie, u vranë dhe dhjetëra u plagosën, në Bagdad dhe qytete të tjera.
Protestuesit në Irakun e jugut dogjën goma dhe bllokuan rrugët kryesore në disa qytete, duke thënë se kryeministri i Irakut, Adel Abdul Mahdi nuk i ka mbajtur premtimet, përfshirë emërimin e një qeverie të re të pranueshme për irakianët.
Demonstratat në Irak po mbahen që nga 1 tetori 2019.
Protestuesit kundërshtojnë një sistem politik, të cilin ata e perceptojnë si të korruptuar dhe që i mban shumicën e njerëzve të varfëruar.
Më shumë se 450 njerëz janë vrarë nga trazirat.
Protestat u pezulluan prej disa javësh pasi vëmendja u drejtua në përshkallëzimin e tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, pas vrasjes – në fillim të këtij muaji – të Qasem Soleimanit, një gjenerali të lartë iranian.
Teherani iu përgjigj sulmit vdekjeprurës të dronit amerikan ndaj Soleimanit, duke gjuajtur raketa balistike në dy baza ushtarake Irakiane që strehonin trupa amerikane./REL